- 22 Dec 2014
Sot, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti i shoqëruar nga Drejtori i Drejtorisë së Infrastrukturës, Hysen Durmishi, njëherit edhe aksionar në Ndërmarrjen Publike Komunale “Hortikultura”, vizituan punëtorët e kësaj ndërmarrje.
Në takim me udhëheqësin e N.P.K “Hortikultura”, Isak Rakovica, Kryetari Ahmeti pati rastin të informohet lidhur me mbarëvajtjen e punëve, me ç’rast Rakovica e njoftoi se është përmbushur plani i biznesit për vitin 2014.
“184 punëtorë të kësaj ndërmarrje janë në duke mirëmbajtur në vijimësi sipërfaqet e gjelbëruara. Këtë vit kemi një rikultivim shumë më të madh të sipërfaqeve të gjelbëruara. Këtë vit kemi filluar mbjelljen e luleve shumëvjeçare në të gjitha rrethrrotullimet në qytetin e Prishtinës ku janë mbjellë rreth 50.000 lule, po ashtu janë mbjellë edhe 460 fidanë të larta që janë duke u mirëmbajtur në vazhdimësi. Ne po kërkojmë që të kemi një fidanishte, minimumi prej 20 hektarë ku do të kishim mundësi t’i prodhojmë vetë fidanët, gjë që do të na siguronte edhe një qëndrueshmëri financiare, në mënyrë që në një plan afat gjatë ne të kemi mundësi të prodhojmë fidanet tona”, tha Rakovica, i cili tha se ka mundësi dhe kapacitet të punëtorëve që të prodhohen edhe më shumë lule, pavarësisht se gjatë këtij viti ka pasur rritje të prodhimit.
Kryetari Shpend Ahmeti u takua edhe me përfaqësuesit e sindikatës dhe punëtorët e N.P.K “Hortikultura” me qëllim që të njihet me kërkesat e tyre.
“Sivjet me “Hortikulturën” kemi pasur bashkëpunim shumë të mirë. Në krahasim me ndërmarrjet e tjera që kanë probleme shumë të mëdha financiare, siç është rasti i “Trafikut Urban” apo edhe në ndërmarrjen “Pastrimi”, me drejtorin Isak Rakovica kemi pasur rast të bisedojmë për të gjitha hapësirat e gjelbëruara dhe planifikojmë që gjatë vitit të ardhshëm të shtohen edhe më shumë, ngaqë ky është një prej qëllimeve të kësaj qeverisje. Gjatë vitit të ardhshëm do ta shpallim tenderin arkitektonik për peizazhin e Prishtinës që t’i identifikojmë të gjitha parqet që duhet të ndërtohen në kryeqytet dhe do të shtohet puna edhe për “Hortikulturën”. Përgjigjja e juaj në kërkesat e Komunës ka qenë gjithnjë me kohë dhe keni qenë gjithnjë në gatishmëri”, tha Ahmeti, i cili shtoi se një prej arsyeve të vizitës së tij është që të njihen për së afërmi me kërkesat e tyre.
Ahmeti shtoi se kërkesa e hapësirës prej 20 hektarë për mbjelljen e fidaneve është një kërkesë e arsyeshme, pasi që do të duhej t’i kultivonim vetë shumicën e drunjve dekorativ dhe kulturave të tjera që shërbejnë për kryeqytetin. Sipas tij, nuk ka kuptim që pas 10 viteve, prapë të blihen fidanë kur ekzistojnë të gjitha parakushtet që ato t’i prodhojmë vetë.
“Nuk ka kuptim në gjithë këtë territor, me tërë këtë tokë komunale të mos kemi mundësi t’i mbjellim vetë, e të shkojmë t’i blejmë në vende të tjera”, tha Ahmeti.
Përfaqësuesit e sindikatës së punëtorëve u shprehën të kënaqur. Ata u shprehën se prej kohës së ardhjes në pushtet të kësaj qeverisje, janë adresuar të gjitha vërejtjet që kanë qenë në të kaluarën në raportin e tyre me Komunën.