- 23 Dec 2014
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti i së bashku me Drejtoreshën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Saranda Bogujevcin, organizuan diskutim publik me sportistët dhe përfaqësuesit e klubeve dhe federatave sportive të kryeqytetit.
Kryetari Ahmeti tha se në vazhdën e tubimeve që janë duke u organizuar me grupe të ndryshme në çdo pjesë të kryeqytetit, një diskutim është rezervuar veç për sportistët me qëllim ata të inkuadrohen sa më shumë në planet e viteve të ardhshme, ku do të përfshihen edhe sugjerimet dhe komentet e tyre.
“Dje pata një takim me klubin e futbollit “Hajvalia” me të cilët diskutuam lidhur me stadiumin e ri që do ta ndërtojmë tashmë në Hajvali. Kemi planifikuar fusha sportive, infrastrukturë çështje në të cilat mund të bëjmë edhe më shumë në të ardhmen. Problemin më të madh të cilin e kemi pasur sivjet dhe që mendojë se do të na merr kohë derisa të zgjidhet, është fakti se ne trashëgojmë një buxhet shumë të vogël sa i përket subvencioneve të sportit. Kjo nuk na lejon që ta ndihmojmë sportin aq sa kemi dëshirë dhe aq sa do t’i takonte një kryeqyteti t’i përkrahte aktivitetet sportive. Them buxhet i pamjaftueshëm, pasi që i kemi rreth 150 mijë euro subvencione për krejt klubet, fushat dhe të gjitha sportet, ndërkohë që kërkesat të cilat na vijnë gjatë vitit janë rreth 1 milionë euro”, tha Ahmeti, i cili po ashtu shtoi se shumica e kërkesave është edhe për përkrahje të aktiviteteve të ndryshme sportive, posaçërisht në sportet individuale luftarake.
Ai më tutje sqaroi se në buxhetin e vitit 2015 është trefishuar buxheti për sport dhe subvencione me qëllim që mjetet të ndahen në disa grupe ku do të caktoheshin shumat ndaras për sportet kolektive, individuale.
Të pranishmit kërkuan që të shqyrtohet mundësia për ndërtimin e shtegut të atletikës, pasi që klubi i atletikës ekziston prej shumë kohësh dhe do të mund të shfrytëzohej edhe nga sportet e tjera për stërvitjen e sportistëve. Po ashtu, ata u shprehën të brengosur për sallën e madhe të Pallatit të Rinisë, e cila tash e sa vite është shndërruar në parking dhe kërkuan që, siç ka qenë më parë, t’i kthehet në pronësi të Komunës. Njëkohësisht përfaqësuesit e sportit të notit thanë se tashmë kanë gjetur donatorë të interesuar për ndërtimin me koncesion të një pishine prej 25 metrave dhe dy pishinave me të vogla.
“Sa i preket shtegut të atletikës, ne si Komunë vet nuk mund ta bëjmë sepse nuk kemi aq shumë mjete për të investuar në një projekt. Është mirë që të shikohet mundësia me MKRS që stadiumi i ri që flitet se do të ndërtohet, ta parasheh edhe shtegun e atletikës. Në bisedat me qeverisjen e kaluar, planifikohet ndërtimi i gjashtë stadiumeve ndihmëse në Bërnicë ku e kemi caktuar tashmë lokacionin që do të përdoren nga klubet futbollistike. Mendoj se do të ishte mirë të mendojmë që atje të ndërtohet edhe shtegu i atletikës, në mënyrë që ne si Komunë të kemi mundësi ta bashkëfinancojmë”, tha Ahmeti.
Ai u sqaroi se aktualisht “Pallati i Rinisë” është ndërmarrje shoqërore në menaxhim të Agjencionit Kosovar të Privatizimit dhe se nuk do të lejojë në asnjë rrethanë privatizimin e tij dhe se ia ka bërë të ditur këtë qëndrim përmes një letër dërguar AKP-së.
Kryetari Ahmeti i njoftoi po ashtu se tashmë është caktuar lokacioni i pishinës olimpike që është në lagjen “Arbëria”, e jo siç ka qenë e planifikuar nga qeverisja e kaluar që kishte ndarë vetëm 300.000 euro, ndërsa një projekt i tillë, kushton shumë më tepër, rreth 4 – 5 milionë euro, e që ajo të ndërtohet në afërsi të pishinës së Gërmisë, me ç’rast do të preheshin shumë drunj e do të shkaktoheshin dëme. Ahmeti tha se ekziston plani që për këtë projekt, në një afat prej tre vjetësh, gjysmën e mjeteve t’i ndajë Komuna, ndërsa pjesën tjetër ta financojë qeveria.
Ahmeti po ashtu i njoftoi të pranishmit se planifikohet që gjatë vitit të ardhshëm sektorët e Rinisë dhe Sportit të ndahen nga Drejtoria e Kulturës dhe të bëhen pjesë e Drejtorisë së Zhvillimit të Qëndrueshëm.
Të pranishmit thanë se shumë prej tyre për herë të parë kanë rastin të kontaktojnë drejtpërdrejtë me një kryetar Komune dhe u shprehën të gatshëm për bashkëpunime të mëtutjeshme me qëllim të zhvillimit të sportit në kryeqytet.