- 15 Jan 2015
Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), organizuan sot tryezën e rrumbullakët me temë “Siguria në shkollat e Komunës së Prishtinës”.
Para të pranishmëve, Komuna e Prishtinës dhe projekti i UNDP – së “Pulsi Publik” prezantuan “Raportin për dhunën dhe sigurinë në shkollat publike të Komunës së Prishtinës”, i cili e trajton perceptimin e nxënësve, prindërve dhe mësimdhënësve për çështjen e sigurisë në shkollat e Komunës së Prishtinës. Të pranishëm në këtë tryezë ishin përfaqësues të institucioneve, OJQ – ve, drejtorë të shkollave, prindër dhe nxënës.
Përfaqësuesi i përhershëm i UNDP – së, z. Andrew Rusell tha se është kënaqësi të jesh pjesëmarrës në këtë tryezë për prezantimin e një raporti të rëndësishëm të analizës së gjendjes në shkolla. Ai u shpreh se UNDP mbetet e përkushtuar dhe në vazhdimësi bashkëpunon me autoritete të ndryshme të Kosovës për analiza dhe hulumtime të ndryshme. Ai theksoi se në rastin konkret, është punuar me ekspertët vendor për hulumtimin dhe analizimin e gjendjes së sigurisë në shkollat publike të Prishtinës.
Z. Rusell u shpreh i bindur se ky dokument do të shfrytëzohet dhe do të kontribuojë për bërjen e politikave për sigurinë në shkollat e Komunës së Prishtinës.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Prishtinës, z. Shpend Ahmeti, si ekip qeverisës kanë qenë të shqetësuar për situatën e rënduar të sigurisë në shkolla, pasi që 10 muaj më parë në shkollat e Komunës së Prishtinës ka pasur një seri të incidenteve.
“Edhe pse në Prishtinë e di se ka pasur organizata të cilat janë marrë me çështjen e sigurisë nëpër shkolla, ne si Komunë kemi përgjegjësi dhe fuqi që këto raporte dhe rekomandime t’i bëjmë pjesë të politikave tona. Koncepti ka qenë jo vetëm të publikojmë një raport që vetëm do të identifikonte problemet, por një raport i cili do të jetë më konkret dhe do të dalin edhe rekomandime që do ta përmirësojnë situatën e sigurisë nëpër shkolla. Kjo është një reformë më afatgjate. Nuk ndryshojnë bindjet dhe trendet sociale brenda natës, kërkojnë kohë. Megjithatë, asokohe kërkuan nga UNDP që të na ndihmojë me një hulumtim mbi gjendjen e sigurisë nëpër shkolla sepse natyrisht marrja e vendimeve pa i pasur informatat e sakta shumë shpesh rezulton edhe me vendime të gabuara. Dhe si rezultat i këtij hulumtimi, i cili pos që është përfunduar që një kohë, pastaj ka kaluar në diskutime të ndryshme me organizata të ndryshme dhe si rezultat e kemi një raport i cili i shtjellon të gjitha rekomandimet në bazë të fokus grupeve ku janë identifikuar të gjitha problemet kryesore të cilat neve na shkaktojnë këtë gjendje të sigurisë dhe dhunës nëpër shkolla”, tha Ahmeti.
Kryetari Ahmeti tha se Komuna e Prishtinës e ka përfunduar planin akcional që i parasheh të gjitha veprimet dhe do të fillojë së zbatuari së shpejti. Ai shprehu bindjen se pas një periudhe do të organizohet sërish një tryezë dhe do të analizohen rezultatet eventuale në bazë të këtyre veprimeve pasi që, siç tha ai, shkolla është institucioni më i rëndësishëm në Komunë për shkak se aty janë bazat e situatës tonë në të ardhmen.
Ndërsa, drejtoresha e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Arbërie Nagavci tha se është e ditur se cështja e sigurisë dhe dhunës në shkollat në forma të ndryshme. Sipas saj, këtë e kanë dëshmuar edhe hulumtimet e tjera që janë bërë edhe më parë.
“Synimi i Drejtorisë Komunale të Arsimit është që të kemi një rol parandalues dhe vetëdijesues. Pra, të merremi me të gjitha këto çështje në mënyrë që t’i evitojmë këto raste në shkollat tona. Qëllimi është hartimi i një platforme në bazë të rekomandimeve sa më të plota që do të ndihmonte në realizimin e qëllimit për të pasur shkolla sa më të sigurta dhe jo të dhunshme”, tha Nagavci.
Labinot Salihu, analisti që prezantoi raportin për dhunën dhe sigurinë në shkollat publike të Komunës së Prishtinës tha se ky studim është realizuar me kërkesë të Drejtorisë Komunale për Arsim në Komunën e Prishtinës, dhe të dhënat e dala do të shërbejnë për hartimin e platformës gjithëpërfshirëse 2015-2018 kundër dhunës në shkollat e Komunës së Prishtinës.
Ky raport përmbledh të dhënat e 353 nxënësve, 82 prindërve dhe 84 mësimdhënësve.
Qëllimi i këtij projekti ishte bashkëpunimi i një grupi të përbërë nga profile të ndryshme, duke filluar nga analistët lokal dhe OJQ – të, ekspertë nga institucione të ndryshme në mënyrë që të nxirren konkluda që do të jenë në dobi të përmirësimit të gjendjes së sigurisë nëpër shkollat e Komunës së Prishtinës dhe me mekanizma që mund të zbatohet me lehtësi.
Mjetet e trafikut janë identifikuar si kërcënimi apo rreziku më i madh me të cilin ballafaqohen nxënësit gjatë rrugës për në shkollë dhe anasjelltas, ndërsa qentë endacak, identifikohen si kërcënimi i dytë nga 1/3 e nxënësve dhe prindërve.