- 18 Jan 2015
Komuna e Prishtinës informon opinionin publik se reagimi i fundit i grupit të ansamblesitëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Kuvendin Komunal të Prishtinës, përkitazi me vendimet për Bordin e Ndërmarrjes Publike Banesore, është vetëm një përpjekje e pashpresë e tyre për të parandaluar reformat e domosdoshme në të gjitha ndërmarrjet të cilat deri më tani kanë shërbyer më shumë në shërbim të familjarëve dhe rrethit të tyre, e jo për qëllimin për të cilin janë themeluar, pra, që të jenë në shërbim të banorëve të kryeqytetit.
Risjellim në vëmendje se edhe mbledhja e fundit e jashtëzakonshme e thirrur nga grupi i ansambleistëve të LDK – së, nuk ishte asgjë më shumë se sa një përpjekje e dështuar për të mbrojtur interesat familjare të tyre.
Sa i përket Ndërmarrjes Publike Banesore, për të cilën ngirt shqetësimin grupi i LDK – së, rikujtojmë faktin se nga të hyrat prej 7 milionë euro që ka arkëtuar kjo ndërmarrje, tashmë kjo shumë ka kaluar në 4 milionë euro dhe është në rënie të lirë.
Qytetarët e Komunës së Prishtinës, mbi të gjitha, kanë votuar për ndryshimet pozitive në kryeqytet, të cilat nuk mund të realizohen pa reforma të thella në mënyrë që të ndalohet ky kaos.
Arsyet e vërteta të reagimit të këtij grupi interesash, janë faktet tejet të rëndësishme për të cilat ata me çdo kusht kërkojnë t’i mjegullojnë përmes shpifjeve të ulta dhe tendencës së kotë për ta mjegulluar realitetin.
Njoftojmë opinionin publik se drejtor i Ndërmarrjes Publike Banesore është Sabedin Haxhiu, motra e të cilit është e martuar me vëllaun e ish kryetarit të Komunës së Prishtinës, tani kryeministër, Isa Mustafës. Gjithashtu, vajza e motrës së tij dhe e vëllaut të Isa Mustafës, është e punësuar në këtë ndërmarrje;
Shef i rentës (qërasë) në këtë ndërmarrje është vëllau i Ismet Beqirit, Ilmi Beqiri.
Një prej të punësuarve në këtë ndërmarrje është edhe vajza e Halim Halimit, kryesuesit të Kuvendit Komunal të Prishtinës. Madje, në kohën kur është punësuar ajo, Halim Halimi ka qenë aksionar në këtë ndërmarrje që paraqet konfikt të hapur interesi. Përpos vajzës, edhe tre djemtë e motrës së kryesuesit Halim Halimi, janë të punësuar në Komunën e Prishtinës;
Deri vonë, bashkëshortja e asambleistit Sami Hamitit ka qenë zyrtarja kryesore e financave, e cila në këtë pozitë është pranuar pa pasur asnjë ditë përvojë pune;
I punësuar në këtë ndërmarrje është edhe djali i Shefqet Sylejmanit i cili në kohën e punësimit të tij ka qenë anetarë i Komisionit Komunal të Aksionarëve, me ç’rast është shkelur ligji për parandalimin e konfliktit të interesit;
Ismet Beqiri e ka marr banesën nga komuna 120 metra katrorë të ndërtuar nga kjo ndërmarrje, duke e blerë ne vlerë të rreth 10 mijë eurove, kur në fakt vlera e saj reale është 200 mijë euro. Dhe këto janë vetëm disa nga shembujt për keqpërdorimet dhe keqmenaxhimet e Ndërmarrjes Publike Banesore.
Sa i përket akuzave të tyre së është kundërligjore që një anëtar i bordit të merr pjesë në mbledhje “duke qenë online nga një vend tjetër”, ato më shumë flasin për injorancën dhe mosnjohjen e ligjeve, shkaku se anëtarët e bordeve mund të jenë edhe jo shtetas të Kosovës dhe pjesëmarrja e tyre mund të bëhet edhe përmes videokonferencave. Ligjet përkatëse që rregullojnë çështjen e bordit, e parashohin që të drejte kanë edhe jo-shtetasit e Kosovës të zgjidhen, dhe lidhur me këtë, Statuti i Ndërmarrjes Neni 24.5 e parasheh pjesëmarrjen në mbledhje edhe përmes video-konferences (shih dokumentin e bashkëngjitur).
Gjithashtu, për hirë të së vërtetës, njoftojmë opinionin se mbledhja konstituive e bordit të Ndërmarrjes Publike Banesore është mbajtur dhe për këtë ka folur edhe asambleisti i LDK – së, Sami Hamiti në seancën e jashtëzakonshme. Andaj, pretendimi i LDK –së se mbledhja emergjente mbahet pa u konstituar bordi i kësaj ndërmarrje, është vetëm një gënjeshtër e radhës.
Shfrytëzojmë rastin që të njoftojmë opinionin publik se Komuna e Prshtinës, në krye me kryetarin Shpend Ahmeti nuk do të ndalet me reforma dhe mbetemi të përkushtuar posaçërisht në luftën për drejtësi dhe kundër korrupcionit.
Shkarkimi i bordit dhe kryeshefave të ndërmarrjeve do të jetë vetëm një prej veprimeve në kuadër të reformave. Komuna e Prishtinës do të thërras edhe policinë e krimeve ekonomike për të hetuar të gjitha krimet ekonomike që janë bërë në të gjitha ndërmarrjet publike. Reagimi i grupit të asambleistëve të LDK – së, më shumë ngjan në përpjekje për të fituar në kohë për mbulimin e gjurmëve të keqpërdorimeve se sa që është një reagim i mirëfilltë i një partie që tash kontrollon edhe institucionet qendrore të Republikës së Kosovës.