- 18 Mar 2015
Në Komunën e Prishtinës, pas sezonit të dimrit, filluan punimet në infrastrukturën lokale
Me këtë rast, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti i shoqëruar nga nënkryetari Dardan Sejdiu dhe drejtori i Drejtorisë së Infrastrukturës Lokale, Hysen Durmishi, vizituan punimet në lagjet “Arbëria”, “Dardania” dhe në lagjen “Kalabria”.
“Sot fillojmë sezonin infrastrukturore në Komunën e Prishtinës. Pas përmirësimit të motit, do të fillojmë me shtrimin e rrugëve dhe projektet e parqeve të cilat i kemi paraparë për vitin 2015. Fillojmë këtu në lagjen “Arbëria” për krijimin e një parku të ri dhe një zone të re të parkingut për këtë lagje. Gjatë vitit të kaluar e kemi pastruar plotësisht këtë hapësirë që ka qenë një prej deponive më të mëdha jo formale, ndërsa besojë se me ndërtimin e rrugës, parkut dhe parkingut do të shtohet edhe kujdesi i banorëve për këtë hapësirë”, ka kryetari Ahmeti gjatë vizitës së vendpunishtes në lagjen “Arbëria”.
Sipas tij, ky do të jetë një prej viteve më të rëndësishme infrastrukturore në Komunën e Prishtinës.
“10 milionë euro parashihen me buxhetin e sivjetshëm, ndërsa 8 milionë euro janë bartur nga viti i kaluar dhe kjo e bën një shume prej 18 milionë euro projekte infrastrukturore që do të investohen sivjet në Komunën e Prishtinës”, tha kryetari Ahmeti.
Ndërsa, gjatë vizitës së punimeve në lagjen “Dardania”, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu tha se një prej qëllimeve të qeverisjes është rikthimi i hapësirave publike në hapësira të cilat mund të shfrytëzohen prej qytetarëve dhe banorëve të lagjeve.
“Gjatë vitit të kaluar janë identifikuar të gjitha pjesët e qytetit që mund të shndërrohen në hapësira të shfrytëzueshme. Në lagjen “Dardania” hapësira do të shndërrohet në dy aspekte, një pjesë do të shndërrohet në park ndërsa pjesa tjetër, pasi që të kompletohet me infrastrukturën përkatëse, do të shndërrohet në parking. Ky projekt ka një vlerë prej 90 mijë eurove dhe pritet të përfundohet në një afat prej 60 ditë pune. Qëllimi i këtij projekti është funksionalizimi i hapësirave publike, krijimi i hapësirave rekreative si dhe e bën këtë lagje edhe më të sigurt ngase kjo hapësirë si dhe shumë të tjera, kanë qenë të pa trajtuara më parë. Tashmë janë të projektuara 10 parqe në Prishtinë, respektivisht hapësira publike që do të shndërrohen në parqe dhe do të vihen në shërbim të qytetarëve. Në projektim e sipër janë edhe 15 projekte të tjera të ngjashme”, tha nënkryetari Sejdiu duke shtuar se secila lagje e kryeqytetit ka nevojë për investime infrastrukturore.
Drejtoria Hysen Durmishi tha se sivjet, Drejtoria e Infrastrukturës Lokale do të investojë në Komunën e Prishtinës një vlerë rreth 18 milionë euro të projekteve të ndryshme, kryesisht ndërtim i rrugëve, projekte të kanalizimeve, rregullime të hapësirave publike si parqet, platotë, etj.
“Vetëm në lagjen “Dardania” do të realizohen katër projekte të mëdha të cilat do ta ndryshojnë për të mirë pamjen e kësaj lagjeje. Kemi platonë mbi “Kurriz”, platonë tek “PRK – ja”, platonë tek çerdhja “Lulevera” dhe parku që tashmë ka nisur të ndërtohet. Ka investime të mëdha në infrastrukturën rrugore nëpër fshatra. Pothuajse në të gjitha fshatrat e Komunës së Prishtinës do të ndërtohen rrugë dhe kanalizime, si dhe projektet e mëdha infrastrukturore për trajtimin e ujërave të zeza përmes kolektorëve mbi lumin “Mat” dhe mbi lumin “Prishtina”. Janë 28 kontrata të cilat janë nënshkruar gjatë fundit të vitit të kaluar dhe do të fillojnë sivjet. Gjithashtu, edhe për 40 projekte të tjera ka filluar faza e tenderimit dhe që do të realizohen gjatë muajve në vijim.
Gjithashtu, kryetari Ahmeti i shoqëruar nga nënkryetari Sejdiu dhe drejtori Durmishi, vizituan edhe punimet tek rruga që e lidh rrethrrotullimin me lagjen “Kalabria”, projekt i cili ka mundësuar lëvizjen e lirë të mbi 10.000 banorëve të kësaj lagjeje. Me këtë rast u konstatua se në këtë rrugë punimet janë dukë u zhvilluar me një intestitet të lartë dhe pritet që përfundojnë para afatit të paraparë me planin dinamik të punëve. Vlera e këtij investimi është 157 mijë euro.