- 01 Mar 2024
Nënkryetarja e Kryeqytetit, Jehona Lushaku Sadriu bashkë me Drejtoren e Drejtorisë së Mirëqenies Sociale, Adelinë Sahiti dhe këshilltarin e Kryetarit të Kryeqytetit, Bajram Gecja, morën pjesë në aktivitetin e organizuar nga HANDIKOS. Aktiviteti ishte pjesë e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Përdoruesve të Karrocës, një ditë e kushtuar për të rritur ndërgjegjësimin mbi sfidat me të cilat përballen përdoruesit e karrocave dhe për të promovuar një mjedis më inkurajues dhe të qasshëm për ta.
Nënkryetarja Lushaku, drejtorja Sahiti dhe këshilltari Gecaj, morën pjesë aktivisht në këtë ngjarje, vendosën të përdorin nga një karrocë për personat me aftësi të kufizuara gjatë gjithë aktivitetit, për të treguar solidaritetin e tyre dhe për të përjetuar nga afër disa nga sfidat me të cilat përballen përditë përdoruesit e karrocave.
“Qenka një ndjenjë jo shumë e lehtë me qenë në karrocë dhe e shoh sa e vështirë është lëvizja me karrocë. Ne duhet ta përjetojmë këtë ndjenjë që kur të marrim vendime të mendojmë edhe këndvështrimin e personave në karrocë”, u shpreh nënkryetarja Lushaku, duke thënë se ndodhet aty për të ofruar përkrahje.
Derisa ka thënë se e di që në Prishtinë këta persona hasin në vështirësi për të lëvizur, ka theksuar se kanë vullnet politik për t’ju qëndruar pranë.
“Ndjenjë e keqe, mezi s’po pres të kthehem në zyrë me i pa kontratat e sidomos te kjo pjesa e semaforit te rrugës që sapo kaluam”, tha ajo.
Drejtori i “Handikosit” Afrim Maliqi, ka kërkuar që çdo ndërtues të respektojë standardet për qasja të lirë edhe të kësaj kategorie.
“Jemi mbledhur për t’i parë sfidat dhe për të parë se ku janë ndërtuar pjerrinat mirë e ku ka pengesa që kërkojnë intervenim, qytetarët po lëvizin nëpër Evropë lirshëm e ne përdoruesit e karrocave ende nuk jemi të lirë në lëvizje”, tha Maliqi.
Kryeqyteti po vazhdon të angazhohet për të përmirësuar cilësinë e jetesës për personat me aftësi të kufizuara dhe për të ndërtuar një shoqëri më të përfshirë dhe të barabartë për të gjithë.