- 03 Jun 2015
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti i shoqëruar nga nënkryetari Dardan Sejdiu dhe drejtori i Drejtorisë së Infrastrukturës, Hysen Durmishi, vizituan punimet tek platoja që ndodhet afër PTK – së, si dhe vendpunishten në rrugën Siqevë – Llukar në kuadër të realizimit të shumë projekteve infrastrukturore që kanë filluar së realizuari në Komunën e Prishtinës.
Kryetari Ahmeti, gjatë vizitës në platonë që ndodhet afër PTK – së tha se punimet në këtë plato janë një nga tre projektet që do të realizohen në këtë lagje.
“Në platonë ndërtesës së postës në tërësi do të bëhet riparimi i pllakave të cilave iu ka skaduar afati që një kohë të gjatë. Përveç kësaj, do të intervenohet edhe në platonë afër çerdhes “Lulevera” dhe besojë se pas disa ditëve do të përfundojë procesi i prokurimit edhe për platonë e “Kurrizit”. Me këtë rast do të rigjenerohet komplet kjo pjesë me investimet që i kemi bërë në gjelbërim, në heqjen e rrethojave, në parkun e ri prapa “Bill Klintonit”. Mendojë se lagjja Dardania do ta ketë hapësirën e saj komplet të rigjeneruar si lagje”, tha kryetari Ahmeti, i cili shtoi se të tri projektet që do të realizohen në lagjen “Dardania” do të kapin vlerën mbi 1 milionë euro.
Drejtori i infrastrukturës Lokale, Hysen Durmishi tha se pllakat janë sipas standardeve evropiane, ashtu siç kanë qenë kriteret edhe në tender.
“Këto pllaka të cilat do të shtrohen në këtë plato janë pothuajse të përhershme sa i përket afatit të qëndrueshmërisë. Kontrata e kësaj platojë e ka vlerën prej 167.000 eurove. Afati i kryerjes së punimeve është 60 ditë. Po ashtu, është nënshkruar edhe një kontratë tjetër dhe pritet të fillojnë punimet gjatë këtyre ditëve tek platoja tjetër, tek çerdhja “Lulevera”. Gjithashtu, në planifikimet e Drejtorisë së Infrastrukturës është edhe nënshkrimi i kontratës për platonë e “Kurrizit” dhe në njëfarë mënyrë lagjja “Dardania” do ta ketë një pamje tjetër kur të përfundojnë këto projekte”, tha Durmishi.
Ekipi i Komunës së Prishtinës vizitoi gjithashtu edhe vendpunishten ku ka filluar ndërtimi i rrugës Llukar – Siqevë. Me këtë rast ata u pritën nga kryetari i Bashkisë Lokale të Llukarit, Qerim Ademi.
Ademi tha se sot nis së realizuari një projekt i rëndësishëm për këtë bashkësi lokale.
“Një banorë i fshtatit Siçevë për të kryer një shërbim në bashkësinë lokale ose në shkollë apo në shtëpi të shëndetit në të kaluarën i është dashur që ta bëjë një rrugë prej 14 Km nëpër Bardhosh, më pas Prishtinë në mënyrë që të mund të arrijë këtu. Kurse, me ndërtimin e kësaj rruge, do të duhet t’i bëjë vetëm 3 Km rrugë. Banorët e Sharbanit që i përkasin kësaj bashkësie lokale ka qenë dashur të udhëtojnë 30 Km për të kryer një shërbim, duke kaluar nëpër Llozhan, Besi, Prishtinë, Llukar, ndërsa tani vetëm për 10 Km do të mund t’i kryejnë shërbimet e tyre. Ky projekt pos që i lidh fshatrat e kësaj bashkësie lokale, gjithashtu ka lidhur edhe zonën e Llapit, Kradakut”, tha Qemal Ademi.
Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu tha se rruga Siçevë – Llukar ka një rëndësi të veçantë sepse shërbimet komunale tashmë do të afrohen edhe më shumë për banorët e këtyre fshatrave.
“Përveç kësaj po e sjellim një infrastrukturë e cila i plotëson të gjitha standardet që janë për këtë kategori të rrugëve. Por më e rëndësishmja është që qyteti i Prishtinës tashmë nuk është i shkëputur nga banorët në pjesë të ndryshme të komunës, por është i lidhur mirë. Rruga i ka 3.2 Km dhe është një investim që po bëhet nga Komuna e Prishtinës në mënyrë që të kemi një organizim sa më të mirë të infrastrukturës në qytetin e Prishtinës. Tash edhe shtëpia e shëndetin, edhe shkolla, edhe bashkësia lokale nuk janë më larg me Km sikur të udhëtosh në një qytet tjetër, por është në kuadër të infrastrukturës së qytetit që të sigurojmë që çdo qytetarë të ketë qasje në shërbimet adekuate që është në funksion të qytetarëve”, tha Sejdiu.
Gjatë këtij viti, Komuna e Prishtinës ka planifikuar të investojë rreth 18 milionë euro në projekte të ndryshme kapitale, kryesisht ndërtim i rrugëve, projekte të kanalizimeve, rregullime të hapësirave publike si parqet, platotë, etj.